RESTAURIMI I EKOSISTEMIT, PËRSHTATJA NDAJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE DHE DEGRADIMI I TOKËS: RASTI I ALPEVE SHQIPTARE
Abstract
This article is part of the Book of Proceedings of the INTERNATIONAL SCIENTIFIC CONFERENCE “MAIN CHALLENGES OF SUSTAINABLE MANAGEMENT OF ALBANIAN PROTECTED AREAS ACCORDING TO EU DIRECTIVES AND REGULATIONS / 1st SMPA-EU” https://doi.org/10.5281/zenodo.17476890
Full text
RESTAURIMI I EKOSISTEMIT, PËRSHTATJA NDAJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE DHE DEGRADIMI I TOKËS: RASTI I ALPEVE SHQIPTARE Dr. Dritan Rustja Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Fakulteti i Shkencave Shoqërore Departamenti i Gjeografisë Orcid: https://orcid.org/0000-0002-1972-5170 email: [email protected] Abstrakt Alpet Shqiptare përfaqësojnë një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore në vend, me biodiversitet të pasur dhe ekosisteme të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve njerëzore dhe ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ky rajon i veçantë po përballet me presione të shumta antropogjene që lidhen me zhvillimin e pakontrolluar turistik, shfrytëzimin e pyjeve dhe burimeve ujore, ndërtimin e hidrocentraleve, shpyllëzimin, zjarret dhe mbikullotjen. Këto dukuri kanë përshpejtuar degradimin e tokës, humbjen e biodiversitetit dhe fragmentimin e habitateve, duke cënuar funksionet bazë të ekosistemit dhe shërbimet që ai ofron. Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithashtu në këtë territor, përmes reduktimit të reshjeve të borës, shkrirjes së hershme të saj, rritjes së frekuencës së përmbytjeve dhe periudhave të thatësirës. Këto procese jo vetëm që rrisin erozionin dhe rrezikun e rrëshqitjeve të tokës, por edhe kufizojnë disponueshmërinë e ujit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi komunitetet dhe ekosistemet alpine. Përballë kësaj situate, restaurimi i ekosistemit dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike paraqiten si domosdoshmëri për të garantuar qëndrueshmërinë e Alpeve Shqiptare. Masa të tilla përfshijnë: rikuperimin e habitateve pyjore përmes rimbjelljeve dhe kufizimit të shpyllëzimit, rivitalizimin e lumenjve të degraduar nga ndërhyrjet hidroenergjetike, menaxhimin e integruar të kullotave alpine për të reduktuar mbikullotjen, si dhe nxitjen e praktikave bujqësore të qëndrueshme në terrenet e pjerrëta. Po aq e rëndësishme është përfshirja aktive e komuniteteve lokale dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për zbatimin efektiv të planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Alpeve. Ky studim argumenton se vetëm përmes ndërthurjes së restaurimit të ekosistemit me strategjitë e përshtatjes klimatike mund të ndalohet degradimi i tokës dhe të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm për rajonet malore. Rasti i Alpeve Shqiptare shërben si shembull domethënës për të kuptuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe më gjerë, duke ofruar orientime të vlefshme për politikat e ardhshme të menaxhimit të territorit. Fjalë kyçe: Alpet Shqiptare, Restaurimi i ekosistemit, Ndryshimet klimatike, Degradimi i tokës 1. Hyrje Alpet Shqiptare përfaqësojnë një nga rajonet më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore në Shqipëri, me vlera të jashtëzakonshme mjedisore, peizazhore dhe kulturore. Ato shtrihen në pjesën më veriore të vendit dhe përbëjnë një sistem të ndërlikuar malor që përfshin lumenj, lugina akullnajore, pyje të dendur dhe kullota alpine me biodiversitet të pasur. Ky territor përfshin Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, shpallur me VKM Nr. 59, datë 26.01.2022, me një sipërfaqe prej mbi 82,000 hektarësh, ku bëjnë pjesë zona si Thethi, Valbona, lumi i Gashi-t, Nikaj–Mërturi, Lëpusha dhe Curraj i Epërm. Rajoni ka një funksion të rëndësishëm ekologjik dhe klimatik, duke vepruar si “rezervuar i ujërave” për pjesën veriore të vendit dhe si një stabilizues natyror i klimës lokale. Megjithatë, dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të dukshme klimatike dhe presione antropogjene të shtuara, që kanë ndikuar ndjeshëm në strukturën e ekosistemeve malore dhe në cilësinë e tokave. Të dhënat klimatike të periudhës 1979–2024, të analizuara nga burimet e Meteoblue (2024) tregojnë një rritje mesatare të temperaturës vjetore prej rreth +2°C, nga 6.4°C në fund të viteve ’70 në mbi 8.4°C në vitin 2024. Ndërkohë, reshjet vjetore, që variojnë midis 1400 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 155 of 199
mm dhe 2500 mm, paraqesin ndryshueshmëri të lartë dhe shpërndarje të parregullt sezonale, me periudha thatësire të zgjatura dhe përmbytje të shpeshta lokale. Fig. 1. Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare (Burimi: ASIG — Agjencia Shtetërore e Informacionit Gjeohapësinor, 2025) Fig. 2. Pamje nga PK i Alpeve Shqiptare (Thethi dhe Valbona), (Burimi: D.Rustja) Ky ristrukturim klimatik po ndikon në shkrirjen e hershme të dëborës, rritjen e erozionit, dhe uljen e lagështisë së tokës, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin rregullues të ekosistemeve malore. Paralelisht, zhvillimi i pakontrolluar turistik, shfrytëzimi i pyjeve, zjarret, ndërtimet jashtë planeve të menaxhimit dhe mbikullotja kanë shtuar ndjeshëm presionin antropogjen mbi këtë mjedis. Si pasojë, proceset e fragmentimit të habitateve, humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të tokës janë bërë më të dukshme, duke kërcënuar funksionet ekologjike dhe shërbimet ekosistemike që ky rajon ofron për komunitetet lokale. Në këtë kontekst, përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe restaurimi i ekosistemit përbëjnë dy shtylla themelore për të garantuar qëndrueshmërinë e peizazhit alpin dhe për të ruajtur potencialin e zhvillimit të qëndrueshëm në Alpet Shqiptare. Këto qasje kërkojnë kombinimin e masave natyrore, planifikimit të territorit dhe përfshirjes së komuniteteve lokale në proceset e menaxhimit dhe vendimmarrjes. Ky studim ka për qëllim të: analizojë ndryshimet klimatike dhe ekologjike në rajonin e Alpeve Shqiptare gjatë periudhës 1979–2024; vlerësojë ndikimet e këtyre ndryshimeve mbi tokat, pyjet 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 156 of 199
dhe kullotat alpine; si dhe të propozojë masa të integruara për restaurimin e ekosistemeve dhe përshtatjen klimatike, të përshtatura për kushtet e këtij territori malor të ndjeshëm. Përmes kësaj qasjeje, synohet të kontribuohet në kuptimin e ndërlidhjeve ndërmjet klimës, degradimit të tokës dhe qëndrueshmërisë ekologjike në Alpet Shqiptare, duke ofruar një bazë shkencore për politikat e ardhshme të planifikimit dhe menaxhimit të territorit. Fig. 3. Pamje nga presioni antropogjen në PK të Alpeve Shqiptare (shpyllëzimi, ndotja dhe erozioni), (Burimi: D.Rustja) 2. Materiale dhe Metoda - Qasja e studimit. Studimi mbështetet në një qasje të integruar klimatiko–ekologjike, e cila kombinon analiza klimatike shumëvjeçare, vlerësim hapësinor të ndryshimeve në mbulesën e tokës dhe interpretim të politikave institucionale për menaxhimin e zonave alpine. Kjo qasje synon të kuptojë ndërveprimin ndërmjet ndryshimeve klimatike, presioneve antropogjene dhe dinamikës së degradimit të ekosistemeve alpine, duke krijuar një pamje të plotë mbi transformimin e territorit në Alpet Shqiptare gjatë periudhës 1979–2024. - Të dhënat dhe burimet. Analiza është mbështetur në një kombinim të burimeve primare dhe sekondare, që ofrojnë bazë të gjerë statistikore, klimatike dhe institucionale, si: a) të dhënat klimatike të Meteoblue (1979–2024) – për temperaturën mesatare dhe reshjet vjetore në koordinatat 42.46°N, 19.79°E, që mbulojnë Alpet e Veriut të Shqipërisë; b) të dhëna plotësuese (edhe pse fragmentare) të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) – për stacionet Theth, Valbonë, Bogë dhe Lëpushë; c) të dhëna nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM, 2024) – për indikatorët mjedisorë, cilësinë e ajrit dhe tendencat klimatike në qarkun e Shkodrës; d) të dhëna nga Plani Kombëtar Sektorial për Rajonin e Alpeve (PKST, 2018) dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor i tij (VSM, 2018) – për kuadrin e zhvillimit territorial dhe masat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike d) të dhëna nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM, 2024) – për gjendjen aktuale të ekosistemeve në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Të dhënat klimatike janë përpunuar përmes analizës së trendeve shumëvjeçare, ndërsa burimet institucionale janë përdorur për të ndërtuar bazën krahasuese të menaxhimit të ekosistemeve. - Përpunimi i të dhënave dhe metodat analitike. Analizat klimatike dhe grafikët janë realizuar në mjedisin Python dhe përfshijnë: a) analizë trendi linear për vlerësimin e rritjes së temperaturës dhe variabilitetit të reshjeve; b) përllogaritjen e anomalive klimatike në raport me mesataren 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 157 of 199
shumëvjeçare (1981–2010), për të identifikuar vitet me devijime ekstreme; c) ndërtimin e indeksit të stresit klimatik (Climate Stress Index – CSI), që sintetizon ndikimin e temperaturës dhe reshjeve përmes formulës: CSI = Anomalia e Temperatures − 0.5 × Anomalia e Reshjeve. Ky indeks përfaqëson nivelin e përgjithshëm të stresit klimatik në ekosistemet alpine dhe është përdorur për të përllogaritur tendencën e ndjeshmërisë klimatike për periudhën 1979–2024. Në bazë të këtyre analizave u ndërtuan 3 grafikë kryesorë: 1. Figura 4: evolucioni dekadal i temperaturës dhe reshjeve 2. Figura 5: lidhja ndërmjet temperaturës mesatare dhe reshjeve vjetore 3. Figura 6: indeks i stresit klimatik (CSI) për periudhën 1979–2024 Figura 4. Evolucioni dekadal i temperaturës dhe reshjeve në Alpet e Veriut të Shqipërisë (1979–2024). Burimi: përpunim nga të dhënat Meteoblue (2024), 42.46° N, 19.79° E. Figura 5. Marrëdhënia midis temperaturës mesatare dhe reshjeve vjetore në Alpet e Veriut të Shqipërisë (1979–2024). Burimi: përpunim nga të dhënat Meteoblue Climate Data (2024), 42.46° N, 19.79° E. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 158 of 199
Figura 6. Indeksi i Stresit Klimatik në Alpet e Veriut të Shqipërisë (1979–2024). Burimi: përpunim nga të dhënat Meteoblue Climate Data (2024), 42.46° N, 19.79° E. - Analiza hapësinore dhe ekologjike. Analizat hapësinore janë kryer përmes metodave të Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS), duke u bazuar në të dhënat e Begu & Bygjymi (2025) mbi ndryshimet e mbulesës pyjore në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” gjatë periudhës 2000–2018 (fig. 7). Këto të dhëna ndihmojnë në kuptimin e procesit të degradimit të tokës dhe rigjenerimit spontan në zonat e mbrojtura. Figura 7. Ndryshimet në mbulesën pyjore të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” (2000–2018). Burimi: Begu & Bygjymi (2025). - Kuadri institucional dhe interpretimi. Për interpretimin e kuadrit politik dhe institucional janë përdorur dokumente strategjike si Strategjia Sektoriale për Rajonin e Alpeve (2018) dhe VKM Nr. 59/2022, të cilat përcaktojnë objektivat për menaxhimin e qëndrueshëm të zonës. Të gjitha rezultatet janë interpretuar në tri dimensione të ndërlidhura: klimatik – analiza e 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 159 of 199
tendencave të temperaturës dhe reshjeve; ekologjik – vlerësimi i ndikimeve mbi pyjet, kullotat dhe tokat; menaxherial dhe politik – lidhja ndërmjet politikave të restaurimit dhe përshtatjes klimatike. Kjo qasje e shumëfishtë siguron një kuptim të plotë të ndërvarësive ndërmjet faktorëve natyrorë dhe njerëzorë, duke e bërë analizën të vlefshme si për kërkimin shkencor, ashtu edhe për politikëbërjen territoriale. 3. Rezultate dhe Diskutime - Ndryshimet klimatike në Alpet Shqiptare (1979–2024). Analiza klimatike shumëvjeçare tregon një rritje të dukshme të temperaturës mesatare dhe një variabilitet të madh të reshjeve në rajonin e Alpeve të Veriut të Shqipërisë gjatë periudhës 1979–2024 (fig. 4). Sipas të dhënave të Meteoblue (2024), temperatura mesatare vjetore është rritur nga 6.4°C në vitin 1979 në 8.4°C në vitin 2024, duke reflektuar një ngrohje prej rreth +2°C në më pak se pesë dekada. Ky trend pozitiv i temperaturës është i shoqëruar me: zgjatje të periudhës pa borë gjatë dimrit, shkrirje më të hershme të dëborës dhe theksim të sezonit të thatësirave në muajt e verës. Ndërkohë, reshjet mesatare vjetore janë luhatur ndërmjet 1400 mm dhe 2500 mm, me një mesatare shumëvjeçare prej rreth 1800 mm. Edhe pse trendi afatgjatë i reshjeve është më i qëndrueshëm, shpërndarja sezonale ka ndryshuar: periudhat me reshje intensive janë përqendruar në stinët tranzitore (tetor– dhjetor dhe prill–maj), ndërsa verat janë bërë më të thata dhe më të gjata. Këto ndryshime janë të dukshme dhe tregojnë një rritje lineare të temperaturës mesatare, variabilitet të reshjeve me periudha të alternuara të lagështa e të thata dhe anomali mujore që theksojnë mbizotërimin e muajve me temperatura mbi mesataren pas vitit 2000. Kjo dëshmon një përshpejtim të procesit të ngrohjes klimatike dhe shpërndarje gjithnjë e më të parregullt të reshjeve, me pasoja të drejtpërdrejta mbi ekuilibrin hidrologjik dhe ekosistemet alpine. - Ndërlidhja ndërmjet temperaturës dhe reshjeve. Fig.5 përfaqëson lidhjen statistikore ndërmjet temperaturës mesatare vjetore (°C) dhe reshjeve (mm) për periudhën 1979–2024. Rezultatet tregojnë një korrelacion negativ të qartë, ku për çdo rritje me 1°C në temperaturën mesatare, reshjet mesatare vjetore bien me rreth 100–120 mm. Ky raport tregon ndjeshmërinë klimatike të lartë të ekosistemeve alpine. Në terma ekologjikë, kjo lidhje tregon se: ngrohja redukton rezervat ujore në tokë, prish bilancin e avullimit dhe transpirimit, dhe shkakton tension hidrik në bimësi, sidomos në pyjet halorë dhe kullotat alpine. Ky ekuilibër klimatik i brishtë është thelbësor për të kuptuar pse ekosistemet alpine reagojnë shpejt ndaj ndryshimeve klimatike dhe pse kërkojnë masa përshtatëse afatgjata. - Ndryshimet ekologjike dhe pyjore (2000–2018). Analiza e të dhënave të Begu & Bygjymi (2025), mbi mbulesën pyjore të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” tregon ndryshime të dukshme në përbërjen dhe strukturën e pyjeve gjatë periudhës 2000–2018 (fig.7). Pyjet gjetherënëse janë reduktuar nga 35.9% në 30.6%, për shkak të prerjeve ilegale dhe zjarreve; pyjet e përziera janë rritur nga 4.6% në 8.3%, për shkak të rigjenerimit natyror në zonat e braktisura; pyjet halorë kanë mbetur relativisht të qëndrueshme (rreth 2.5%). Ky ndryshim strukturor tregon se proceset e fragmentimit të habitateve dhe shfrytëzimit selektiv të pyjeve janë intensifikuar në zonat me presion më të madh antropogjen, si Thethi, Razma dhe Valbona. - Evolucioni dekadal i trendeve klimatike dhe indeksi i stresit klimatik (CSI) Fig.4 përmbledh evoluimin dekadal të temperaturës dhe reshjeve në Alpet Shqiptare. Temperatura mesatare dekadale është rritur nga 6.6°C në vitet 1980 në 8.3°C në dekadën e viteve 2020, ndërsa reshjet kanë pësuar ulje graduale nga 1850 mm në 1650 mm. Kjo tregon një rritje të ngrohjes dhe ulje të lagështisë, që përkon me ndryshimet e vërejtura në gjithë hapësirën ballkanike. Ndërsa fig. 6 paraqet Indeksin e Stresit Klimatik (CSI) për periudhën 1979–2024, i cili kombinon anomalitë e temperaturës dhe reshjeve. Vlerat e indeksit rriten ndjeshëm pas vitit 2000, duke treguar se periudhat e fundit kanë qenë më të ngrohta dhe më të thata sesa mesatarja shumëvjeçare. Kjo rritje e stresit klimatik ka ndikuar në: dobësimin e 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 160 of 199
qëndrueshmërisë së ekosistemeve; shtimin e frekuencës së zjarreve dhe thatësirave; dhe në shfaqjen e dukurive të rrëshqitjeve të tokës në terrenet e pjerrëta. - Dinamikat e degradimit dhe restaurimit të ekosistemeve. Rezultatet tregojnë se ngrohja klimatike dhe presionet antropogjene janë faktorët kryesorë që kanë përshpejtuar degradimin e tokës dhe fragmentimin e habitateve në Alpet Shqiptare. Megjithatë, në disa zona, veçanërisht në pjesët qendrore të parkut (Nikaj–Mërtur, Lëpushë, Curraj i Epërm), është vërejtur restaurim spontan i habitateve pyjore, përmes rigjenerimit natyror dhe zvogëlimit të shfrytëzimit tradicional. Kjo dukuri tregon se ekosistemet alpine kanë ende kapacitet përshtatës dhe mund të rikuperohen nëse zbatohen masa të qëndrueshme menaxhimi dhe politika lokale të orientuara drejt restaurimit të tyre. Kështu, ndërthurja e restaurimit ekologjik me përshtatjen klimatike përbën rrugën më të qëndrueshme për ruajtjen afatgjatë të Alpeve Shqiptare si një peizazh funksional, i qëndrueshëm dhe me vlera të shumëfishta për biodiversitetin dhe komunitetet njerëzore. 4. Përfundime dhe Rekomandime - Përfundime. Rezultatet e këtij studimi dëshmojnë se Alpet Shqiptare po përballen me një proces të vazhdueshëm transformimi klimatiko–ekologjik, i cili ka ndikime të dukshme mbi ekosistemet, tokat dhe komunitetet lokale. Në një hark kohor prej rreth pesë dekadash (1979–2024), rajoni ka përjetuar një rritje mesatare të temperaturës vjetore prej +2°C, e shoqëruar me variabilitet të lartë të reshjeve dhe shpërndarje gjithnjë e më të parregullt sezonale. Ky kombinim ka prodhuar një stres klimatik të shtuar, i cili përkthehet në: reduktim të rezervave ujore dhe lagështisë së tokës; shkrirje më të hershme të dëborës; rritje të frekuencës së thatësirave dhe zjarreve pyjore; dhe përshpejtim të proceseve erozive në zonat me pjerrësi të lartë. Në planin ekologjik, të dhënat tregojnë një ulje të pyjeve gjetherënëse dhe një copëzim të habitateve në zonat me presion antropogjen më të madh. Megjithatë, në disa segmente të parkut vërehen proceset e rigjenerimit natyror, që dëshmojnë se ekosistemet alpine ruajnë ende kapacitete të brendshme rigjeneruese. Për rrjedhojë, mund të konkludohet se: - ngrohja klimatike është faktori kryesor që nxit degradimin e tokës dhe ndryshimet ekologjike në Alpet Shqiptare; - presionet antropogjene (shfrytëzimi pyjor, turizmi i pakontrolluar, mbikullotja) e përforcojnë këtë proces; - restaurimi i ekosistemeve dhe përshtatja klimatike përbëjnë qasjet më të përshtatshme për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij territori; - zbatimi i planeve lokale dhe përfshirja e komuniteteve janë kushte të domosdoshme për menaxhim efektiv dhe për ndalimin e degradimit mjedisor. Këto përfundime e vendosin rajonin e Alpeve Shqiptare në një kryqëzim të rëndësishëm midis ruajtjes ekologjike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke e bërë atë një laborator të vlefshëm për studimet klimatike dhe praktikat e restaurimit në zonat malore të Ballkanit. - Rekomandime. Në bazë të analizave klimatike, ekologjike dhe institucionale të kryera, rekomandohen këto masa prioritare për politikëbërje dhe menaxhim të qëndrueshëm të territorit: 1. Forcimi i sistemit të monitorimit klimatik dhe ekologjik a) Zgjerimi i rrjetit të stacioneve klimatike lokale në zonat alpine b) Integrimi i të dhënave satelitore me matjet në terren për ndjekje të trendeve në kohë reale. 2. Restaurimi aktiv i ekosistemeve pyjore dhe kullotave alpine a) Rimbjellja me specie autoktone dhe përmirësimi i strukturës pyjore b) Kontrolli i erozionit në terrenet e pjerrëta dhe rehabilitimi i zonave të djegura nga zjarret. 3. Integrimi i masave të përshtatjes klimatike në planet e zhvillimit lokal a) Përfshirja e treguesve të ndjeshmërisë klimatike në planifikimin territorial 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 161 of 199
b) Hartimi i planeve të menaxhimit të rrezikut nga thatësirat dhe përmbytjet. 4. Menaxhimi i qëndrueshëm i turizmit malor a) Vendosja e kufizimeve ndërtimore dhe e standardeve mjedisore për strukturat turistike b) Promovimi i formave të turizmit të qëndrueshëm (eko-turizëm, agroturizëm, turizëm natyror). 5. Përfshirja e komuniteteve lokale në proceset e bashkëmenaxhimit a) Rritja e ndërgjegjësimit për ruajtjen e burimeve natyrore b) Përfshirja e aktorëve lokalë në programet e restaurimit dhe monitorimit të habitateve. 6. Zbatimi i politikave të bazuara në prova (evidence-based policies) a) Përdorimi i analizave shkencore për hartimin e strategjive mjedisore b) Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet AKZM-së, universiteteve dhe qëndrave kërkimore. Nëse këto masa zbatohen në mënyrë të koordinuar, Alpet Shqiptare mund të shndërrohen në një model të mirë për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave malore në Evropën Juglindore, ku ruajtja e ekosistemeve dhe zhvillimi ekonomik ecin paralelisht. 5. Kufizime dhe Perspektiva të Studimit Ky studim synon të ofrojë një panoramë të integruar të ndryshimeve klimatike, degradimit të tokës dhe potencialit për restaurim në rajonin e Alpeve Shqiptare. Megjithatë, ashtu si çdo analizë që mbështetet në të dhëna shumëvjeçare dhe burime të kombinuara, ai ka disa kufizime metodologjike dhe empirike, të cilat duhen marrë parasysh në interpretimin e rezultateve. - Kufizimet e studimit. a) Rezolucioni dhe burimi i të dhënave klimatike. Analiza është bazuar kryesisht në të dhëna klimatike të modeleve të Meteoblue (1979–2024). Këto burime kanë rezolucion mesatar hapësinor (10–20 km), çka mund të fshehë mikro-variante lokale të klimës në terrene shumë të larmishme si ato alpine. b) Periudha e kufizuar e analizës hapësinore (GIS). Të dhënat mbi ndryshimet e mbulesës pyjore (Begu & Bygjymi, 2025) mbulojnë vetëm periudhën 2000–2018, duke kufizuar aftësinë për të vlerësuar zhvillimet e dekadës së fundit (2018–2024), kur ndryshimet klimatike janë përshpejtuar. c) Mungesa e matjeve të drejtpërdrejta në terren. Analiza nuk përfshin të dhëna të drejtpërdrejta të matjeve të lagështisë së tokës, erozionit apo stabilitetit të habitateve, të cilat do të mundësonin një verifikim më empirik të treguesve të stresit klimatik dhe degradimit të tokës. d) Korniza institucionale ende e fragmentuar. Zbatimi i politikave për restaurim dhe përshtatje klimatike në nivel lokal ndikohet nga mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve, që shpesh pengon ndjekjen e një qasjeje të integruar mjedisore dhe territoriale. - Perspektivat e kërkimit të ardhshëm. Pavarësisht këtyre kufizimeve, studimi ngre bazën për një sërë drejtimesh kërkimore të ardhshme që mund të përmirësojnë kuptimin shkencor dhe praktik të dinamikave të zonave malore në Shqipëri: a) Integrimi i të dhënave me rezolucion të lartë. Kombinimi i të dhënave satelitore (Copernicus, MODIS, Sentinel-2) me matjet lokale të cilat duhet të jenë më të sakta dhe të plota, do të lejojë një vlerësim më cilësor të ndryshimeve klimatike dhe të ndikimeve mbi mikro-ekosistemet. b) Monitorimi i vazhdueshëm i tokave dhe biodiversitetit. Zbatimi i programeve të matjeve periodike në terren për lagështinë, cilësinë e tokës dhe diversitetin biologjik do të krijojë një sistem vëzhgimi dinamik për rajonin. c) Ndërtimi i modeleve të parashikimit. Modelet klimatike lokale dhe ato të erozionit do të ndihmojnë në parashikimin e rreziqeve të ardhshme, si thatësirat, rrëshqitjet e tokës apo humbja e pyjeve, duke ndihmuar menaxhimin e qëndrueshëm. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 162 of 199
d) Krahasimi ndërajonal në shkallë ballkanike. Analiza krahasuese me rajonet alpine në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndihmonte në krijimin e indekseve të përbashkët të stresit klimatik dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar. e) Ndërlidhja shkencë–politikë–komunitet. Zhvillimi i platformave të përbashkëta mes universiteteve, institucioneve publike dhe organizatave lokale do të nxiste transferimin e dijes nga kërkimi te politikëbërja dhe praktika mjedisore. Gjithsesi, ky studim shërben si një kontribut modest shkencor për kuptimin e sfidave klimatiko– ekologjike të Alpeve Shqiptare dhe si pikënisje për studime të mëtejshme ndërdisiplinore mbi qëndrueshmërinë e zonave malore në Shqipëri. Në një kohë kur ndikimet e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të prekshme, rezultatet e këtij punimi mund të përdoren si bazë orientuese për politika kombëtare dhe rajonale mbi restaurimin e ekosistemeve, ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. 6. Referencat 1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), (2024). Raporti vjetor i gjendjes mjedisore në Shqipëri, 2023–2024. Tiranë 2. Agjencia Kombëtare e Territorit (AKT), (2018). Plani i Zhvillimit të Sektorit – PKST për Rajonin e Alpeve. Tiranë 3. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM). (2024). Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” – Udhëzues i zonës dhe biodiversitetit. Tiranë. Marrë nga Parku Kombëtar i Alpeve - AKZM 4. Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA). (2024, 1 janar). Fluks turistësh në Alpet e Shqipërisë: rreth 558 mijë në vitin 2023. Marrë nga Fluks turistësh në Alpet e Shqipërisë, rreth 558 mijë në 2023 - ATSH – 5. Autoriteti Shtetëror për Infomacionin Gjeohapsinor (ASIG) 2025, Zonat e Mbrojtura; https://geoportal.asig.gov.al/map/?themeId=3304661&auto=true 6. Begu, E., & Bygjymi, Xh. (2025). Deforestation in Protected Areas: A GIS–RS Based Study in Northern Albania. Proceedings of the International Conference on Research in Humanities and Social Sciences Vol. 2, Issue. 1, 2025, pp. 78-85 DOI: https://doi.org/10.33422/icrhs.v2i1.1307 7. IGJEO. Të dhëna klimatike stacionare për rajonin e Alpeve Shqiptare (Theth, Valbonë, Lëpushë, Bogë). Instituti i Gjeoshkencave, Universiteti Politeknik 8. Javanews. (2024, 1 janar). Thirrja e Alpeve Shqiptare: Si t’i ruajmë parqet kombëtare. Marrë nga https://javanews.al/thirrja-e-alpeve-shqiptare-si-ti-ruajme-parqet-kombetare/ 9. Kromidha G., Dragoti N., Dedej Z., (2019): Study–An Assessment of the Protected Areas System in Albania–National Parks Association of Albania, Tirana. 314 pg. + Annexes, NAPA 2020 10. Meteoblue. (2024). Climate data and trends for Northern Albania (42.46°N, 19.79°E, 1979–2024). Meteoblue AG, Basel, Switzerland. https://www.meteoblue.com/en/climate-change/north-albanianalps_albania_3194466 11. GO2 Albania. (2021). Vija 29 – Revista e zhvillimit të qëndrueshëm lokal. Shkodër: Qendra GO2. Marrë nga https://issuu.com/go2albania/docs/vija_29 12. Qeveria Shqiptare. (2022). VKM nr. 59, datë 26.01.2022: Shpallja e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë. 13. Qiriazi, P. (2017): Trashëgimia natyrore e Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 14. Vlerësimi Strategjik Mjedisor (VSM), (2018). Dokument shoqërues i PKST për Rajonin e Alpeve. Tiranë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. 15. https://www.unep.org/ecosystem-based-adaptation-albania 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 163 of 199