MENAXHIMI EKOLOGJIK I ZONAVE TË MBROJTURA NË SHQIPËRI NËN NDIKIMIN E PRESIONEVE HUMANE DHE STANDARDEVE TË BE-së
Abstract
This article is part of the Book of Proceedings of the INTERNATIONAL SCIENTIFIC CONFERENCE “MAIN CHALLENGES OF SUSTAINABLE MANAGEMENT OF ALBANIAN PROTECTED AREAS ACCORDING TO EU DIRECTIVES AND REGULATIONS / 1st SMPA-EU” https://doi.org/10.5281/zenodo.17476890
Full text
MENAXHIMI EKOLOGJIK I ZONAVE TË MBROJTURA NË SHQIPËRI NËN NDIKIMIN E PRESIONEVE HUMANE DHE STANDARDEVE TË BE-së Prof. Asoc. Dr. Sonila Papathimiu Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë Orcid: https://orcid.org/0000-0002-9835-2535 email: sonila.papathi[email protected]u.al Abstrakt Zonat e mbrojtura kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit dhe të ekuilibrave ekologjikë. Në Shqipëri, megjithëse sipërfaqja e tyre është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, menaxhimi ekologjik mbetet i kufizuar për shkak të presioneve të vazhdueshme antropogjene si urbanizimi i pakontrolluar, turizmi masiv, mbishfrytëzimi i pyjeve, ndotja e ujërave dhe degradimi i habitateve. Këto procese cenojnë stabilitetin e ekosistemeve dhe rrezikojnë speciet e mbrojtura. Në këtë sfond, përafrimi me Direktivën e Habitateve (92/43/EEC), Direktivën e Shpendëve (2009/147/EC) dhe kërkesat për krijimin e rrjetit Natura 2000 paraqet një sfidë të dyfishtë për Shqipërinë: sigurimin e përputhshmërisë me standardet evropiane dhe gjetjen e një ekuilibri midis ruajtjes mjedisore dhe zhvillimit lokal. Ky punim analizon menaxhimin ekologjik të Parkut Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”, si një rast tipik për sfidat e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Përmes analizave hapësinore në QGIS/ArcGIS Pro, të dhënave Copernicus, Sentinel-2, ASIG dhe burimeve institucionale, vlerësohen ndryshimet në mbulesën tokësore, presionet antropogjene, gjendjen e vegjetacionit (NDVI) dhe fragmentarizimin e habitateve. Rezultatet tregojnë një ulje të sipërfaqeve pyjore, rritje të zonave të degraduara dhe fragmentarizim progresiv të peizazhit, shoqëruar me rënie të vlerave mesatare të NDVI-së. Përsa i përket përputhshmërisë dhe zbatimit të standardeve të BE-së, identifikohen boshllëqe të rëndësishme në monitorimin ekologjik, zbatimin e planeve të menaxhimit dhe integrimin e indikatorëve hapësinorë në politikat kombëtare. Punimi propozon masa konkrete për restaurimin ekologjik, forcimin institucional dhe përfshirjen e komuniteteve, si bazë për një menaxhim të integruar dhe adaptiv të zonave të mbrojtura. Fjalë kyçe: menaxhim ekologjik, biodiversitet, zona të mbrojtura, presione antropogjene, Natura 2000, Lurë–Mali i Dejës 1. Hyrje Zonat e mbrojtura kanë rëndësi të veccantë dhe duhet të jenë në qendër të politikave të ruajtjes së biodiversitetit dhe të ekuilibrit ekologjik për ccdo shtet. Shqipëria ka marra masa për t’iu përgjigjur kërkesave dhe direktivave të Bashkimit Europian, duke rritur përqindjen e sipërfaqeve të shpallura nën një kategori mbrojtjeje, duke e rritur nga afërsisht 5% (viti 2006) në 23.1% (EEA 2022). Zonat e mbrojtura të Shqipërisë përfshijnë disa kategori të rëndësishme si: Parqe Kombetar, Monumente natyre, Peizazhe te menaxhuara etj. Ato ndodhen në ekosisteme të ndryshme dhe të larmishme, që nga ligatinat me rëndësi ndërkombëtare e deri te ekosistemet e tjera kodrinore e malore, të cilat kanë biodiversistet të lartë dhe ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi. Menaxhimi ekologjik i këtyre zonave has sfida të shumta, të cilat në Shqipëri lidhen kryesisht me 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 177 of 199
mungesën e planeve të menaxhimit ose të zbatimit si duhet kur ata ekzistojnë, rritja e presionit human, mos ndëshkimi i dëmtuesve të mjedisit dhe zonave të mbrojtura etj. Në dekadat e fundit, sidomos pas ndryshimit të regjimit në vitin 1990, Shqipëria ka përjetuar urbanizim të pakontrolluar, shfrytëzim të pyjeve, zjarreve sezonale, si dhe rritje të presionit nga aktivitetet turistike dhe bujqësore pa kontroll, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në humbjen e habitateve natyrore dhe fragmentimin e ekosistemeve. Këto fenomene janë veçanërisht të dukshme në disa nga zonat më të ndjeshme të vendit, ndër të cilat spikat Parku Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”. Parku Kombëtar Lurë–Mali i Dejës përfaqëson një nga ekosistemet malore më të ndjeshme dhe më të vlefshme në Shqipëri, i karakterizuar nga pyje të dendur me ah dhe bredh, liqene akullnajore dhe një biodiversitet me vlera të larta konservuese. Megjithatë, gjatë dekadave të fundit, zona është përballur me një presion të theksuar antropogjen, veçanërisht nga prerjet ilegale, të cilat kanë shkaktuar dëmtime masive të mbulesës pyjore dhe kanë rritur dukshëm rrezikun e degradimit të tokës. Raportimet për shpyllëzime të konsiderueshme në territorin e parkut, të shoqëruara me erozion sipërfaqësor dhe humbje të shtresës pjellore të tokës, tregojnë për një dobësim të funksioneve ekologjike të ekosistemit malor (PeakVisor, 2023). Këto procese janë në përputhje me prirjet e përgjithshme të degradimit të tokës dhe humbjes së pyjeve të dokumentuara më gjerë në rajonet malore të Shqipërisë, ku ndërhyrjet e pakontrolluara të njeriut dhe praktikat e qëndrueshmërisë së ulët kanë çuar në rritje të erozionit dhe destabilizim të peizazhit (Zeneli et al., 2017). Në lidhje me zhvillimin strategjik Shqipëria ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin për përafrimin e politikave të saj mjedisore me Direktivat dhe legjislacionin Europian në fuqi, veccanërisht me Direktivën e Habitateve (92/43/EEC) dhe Direktivën e Shpendëve (2009/147/EC), të cilat përbëjnë bazën e rrjetit ekologjik Natura 2000 në Bashkimin Evropian. Realizimi me sukses i këtij procesi kërkon harmonizimin e standardeve të ruajtjes së biodiversitetit, monitorimin e habitateve dhe raportimin e rregullt të gjendjes ekologjike, në përputhje me kërkesat e Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA). Pavarësisht përkushtimit, situata konkrete në Shqipëri duket se ka probleme në lidhje me zbatimin e këtyre standardeve, të cilat shpesh aplikohen në mënyrë të fragmentarizuar dhe të varura vetëm në projekte afatshkurtra ndërkombëtare, por të pa mbështetura nga një sistem i qendrueshëm kombëtar për monitorimin ekologjik. Ky studim synon analizimin e menaxhimit ekologjik të Parkut Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”, duke shqyrtuar ndërveprimin midis presionit human dhe kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e biodiversitetit. Përmes analizës hapësinore në ArcGIS pro dhe krahasimit me standardet e Bashkimit Evropian, synohet të identifikohen mangësitë ekzistuese në planifikimin dhe zbatimin e masave mbrojtëse, si dhe të ofrohen rekomandime për përmirësimin e qëndrueshmërisë ekologjike të zonës në studim, të cilat mund të tranferohen edhe në zona të tjera të ngjashme. Përzgjedhja e Parkut Kombëtar Lurë – Mali i Dejës si rast studimi mbështetet në rëndësinë ekologjike të tij, por edhe në faktin se ai përfaqëson shumë nga problematikat që ndeshen në shkallë kombëtare: mungesë e koordinimit ndërinstitucional, presione ekonomike dhe sociale, si dhe një diferencë të theksuar ndërmjet kornizës ligjore dhe zbatimit praktik të saj. Kjo analizë synon të kontribuojë në përpjekjet për një menaxhim të integruar dhe adaptiv të zonave të mbrojtura, që do të sigurojë ruajtjen afatgjatë të ekosistemeve dhe të kapitalit natyror të Shqipërisë. 2. Korniza ligjore dhe institucionale Menaxhimi ekologjik i zonave të mbrojtura në Shqipëri mbështetet në një kornizë ligjore të përditësuar dhe të harmonizuar gradualisht me standardet e Bashkimit Evropian. Ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, përcakton kategoritë e mbrojtjes sipas klasifikimit të IUCNsë (Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës) dhe parashikon krijimin e një rrjeti 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 178 of 199
kombëtar të zonave të mbrojtura që ruan përfaqësimin e ekosistemeve, habitateve dhe specieve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Ky ligj u përditësua për të reflektuar kërkesat e Direktivës së Habitateve (92/43/EEC) dhe Direktivës së Shpendëve (2009/147/EC), të cilat përbëjnë themelin e rrjetit ekologjik Natura 2000 në vendet e BE-së (European Commission, 2020). Institucioni përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), themeluar në vitin 2015 dhe e varur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. AKZM administron 14 administrata rajonale dhe bashkëpunon me pushtetin vendor, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për hartimin e planeve të menaxhimit, ruajtjen e biodiversitetit dhe monitorimin e resurseve natyrore (AKZM, 2023). Korniza kombëtare për zonat e mbrojtura plotësohet nga dokumente të rëndësishme si Strategjia Kombëtare e Biodiversitetit dhe Plani i Veprimit 2016–2020 (Ministria e Mjedisit, 2016) dhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim të Qendrueshëm dhe Integrim Europian 2030, të cilat theksojnë nevojën për forcimin e monitorimit të habitateve, integrimin e treguesve ekologjikë në politikat sektoriale dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në ruajtjen e ekosistemeve. Megjithëse baza ligjore është e konsoliduar, zbatimi praktik mbetet i fragmentuar dhe shpesh i varur nga projektet afatshkurtra të donatorëve. Mungesa e fondeve të qëndrueshme, e kapaciteteve teknike dhe e bashkëpunimit ndërinstitucional kufizon efikasitetin e menaxhimit ekologjik. Kjo situatë reflektohet qartë në Parkun Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”, ku zbatimi i planeve të menaxhimit është penguar nga ndërhyrjet e paligjshme në pyje, mungesa e sistemit të monitorimit ekologjik dhe dobësia e mekanizmave të raportimit periodik. Në përpjekje për përmirësim, Shqipëria ka përfituar mbështetje nga instrumentet e BE-së si Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA II) dhe programet EU4Environment dhe Green Agenda for the Western Balkans, të cilat synojnë forcimin e administratës mjedisore dhe integrimin e zonave të mbrojtura shqiptare në rrjetin e ardhshëm Natura 2000-WB (EEA, 2022). Megjithatë, për arritjen e standardeve të plotë të BE-së, kërkohet një reformë më e thellë institucionale, krijimi i një sistemi kombëtar për monitorimin e biodiversitetit dhe zbatimi i një qasjeje integruese ndërmjet zhvillimit lokal dhe ruajtjes ekologjike. 3. Materialet dhe Metodat 3.1. Zona e studimit Parku Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës” ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe shtrihet në kufirin ndërmjet qarkut të Dibrës dhe Lezhës, me një sipërfaqe prej rreth 20.242 ha (Harta 1 dhe 2). Territori karakterizohet nga reliev malor me lartësi që variojnë nga 1 200 m deri në mbi 2 000 m mbi nivelin e detit, duke përfshirë masivin e Lurës, liqenet akullnajore, dhe pyjet e dendura me ah (Fagus sylvatica) e bredh (Abies alba). Zona ka një biodiversitet të lartë me prani të specieve të mbrojtura si ariu i murrmë (Ursus arctos), kaprolli (Capreolus capreolus) dhe shqiponja e malit (Aquila chrysaetos). Në dekadat e fundit, kryesisht pas vitit 1990, kjo zonë është përballur me një sërë presionesh antropogjene, përfshirë prerjet ilegale të pyjeve, zjarret e përsëritura, ndërtimet e paligjshme, dhe mbishfrytëzimin e burimeve ujore. Këto ndërhyrje kanë shkaktuar fragmentim të habitateve dhe degradim të tokës, duke ndikuar negativisht në funksionimin ekologjik të ekosistemeve pyjore dhe ujore. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 179 of 199
3.2. Të dhënat dhe burimet e informacionit Për analizën e zhvilluar në këtë studim janë përdorur të dhëna hapësinore dhe statistikore nga disa burime zyrtare dhe ndërkombëtare, të shpjeguara në Pasqyrën 1. Pasqyra 1. Baza e të dhënave të përdorura për studimin Burimi Tipi i të dhënave Përshkrimi Copernicus Land Monitoring Service (CLC 2018–2021) Raster (100 m) Mbulesa tokësore dhe ndryshimet në përdorimin e tokës. Copernicus High Resolution Layers (HRL Forest, Water, Imperviousness) Raster (20 m) Vlerësim i fragmentimit të pyjeve dhe sipërfaqeve të ndërtuara. Sentinel-2 (ESA) Raster (10 m) Llogaritja e indeksit të vegjetacionit (NDVI). ASIG Raster Kufijtë e zonave të mbrojtura dhe të dhëna demografike për bashkitë përreth. OpenStreetMap (OSM) Vektor Rrjetet rrugore, vendbanimet dhe elementët antropogjenë për analizë të presioneve. Të dhënat janë përpunuar për periudhën 2000–2024 me qëllim identifikimin e dinamikës së ndryshimeve hapësinore dhe ndikimit të presioneve njerëzore në ekosistemet e zonës së studimit. 3.3. Metodologjia Në këtë studim janë përdorur të kombinuara analizat hapësinore në QGIS dhe/ose ArcGIS pro dhe vlerësimet ekologjike sasiore, të grupuara në katër faza: a) Analiza e ndryshimeve në mbulesën tokësore (LCLU) U krahasuan shtresat CLC 2000, 2018. Përmes “Raster Calculator” dhe procedurave të “Change Detection” u identifikuan konvertimet kryesore midis kategorive, me fokus në humbjen e pyjeve dhe shfaqjen e zonave të degraduara. b) Vlerësimi i presioneve antropogjene Harta 1. Harta 2. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 180 of 199
U krijuan buffer zona 500 m dhe 1 km rreth rrugëve, vendbanimeve dhe lumenjve kryesorë, për të vlerësuar përqindjen e territorit nën ndikim të drejtpërdrejtë antropogjen. U përdorën gjithashtu analiza të dendësisë së pikave (point density) për të identifikuar “hotspot”-et e ndërhyrjeve. c) Vlerësimi i gjendjes së vegjetacionit (NDVI) Nga imazhet Sentinel-2 për vitet 2021 dhe 2024 u llogarit NDVI. Vlerat u klasifikuan në katër kategori (zona pa vegjetacion, vegjetacion i rrallë, mesatar dhe i dendur) dhe u përpunuan statistikat përkatëse. d) Analiza e fragmentarizimit Përdorimi i mjetit “Sum line lengths” në QGIS mbi poligonet e përdorimit të tokës dhe linjat e kufijve të tyre mundësoi llogaritjen e gjatësisë së bordeve brenda çdo njësie. Vlerat u klasifikuan në pesë klasa fragmentarizimi (shumë i ulët – shumë i lartë), duke ndërtuar hartën e fragmentimit të habitateve. Vlerësimi i përputhshmërisë së planeve të menaxhimit ekzistues me kërkesat e Habitat Directive – Article 17 Reporting Guidelines (European Commission, 2020). Të gjitha analizat u realizuan në QGIS 3.34, me projeksion ETRS89/LAEA Europe (EPSG:3035), të kompatibilizuar me standardet e Natura 2000. Rezultatet u paraqitën përmes hartave tematike: • pozita gjeografike dhe zonimi i parkut; • harta e relievit dhe rrjetit hidrografik; • ndryshimet në mbulesën tokësore 2000–2018; • treguesit e NDVI-së për vitet 2021 dhe 2025; • fragmentarizimi i habitateve (2018) 4. Rezultatet 4.1. Ndryshimet në mbulesën tokësore (2000–2018) Analiza e të dhënave të Corine Land Cover (CLC) për periudhën 2000–2018 tregon se territori i Parkut Kombëtar Lurë–Mali i Dejës ka pësuar ndryshime të ndjeshme në përdorimin e tokës dhe në përbërjen e habitateve. Në vitin 2000, pyjet gjetherënëse dhe të përziera dominonin qartësisht peizazhin, ndërsa në vitin 2018/2021 vërehet një reduktim i sipërfaqes së tyre dhe zgjerim i zonave të degraduara me vegjetacion të rrallë dhe sipërfaqe të zhveshura. Këto ndryshime reflektojnë një proces të fragmentarizimit të peizazhit, i cili ul integritetin ekologjik të pyjeve, veçanërisht në zonat me pjerrësi të lartë ku kombinimi i shpyllëzimit dhe erozionit e përshpejton degradimin. Në grafikun mbi ndryshimet në mbulesën bimorë për periudhën 2000–2006 (Grafiku 1) shihet qartë se humbja më e madhe në PK “Lurë-Mali i Dejës” ka ndodhur në pyjet gjetherënëse, të cilat janë shndërruar në kategorinë shkurre dhe pyje kalimtare, me një sipërfaqe prej 338.83 ha. Ky tranzicion përfaqëson një proces të fortë degradimi, që zakonisht lidhet me prerje të pakontrolluara, zjarre dhe shfrytëzim selektiv të masiveve pyjore. Po ashtu, 131.05 ha pyje halorë dhe 58.18 ha pyje të përziera janë degraduar dhe janë tranformuar në kategorinë shkurre dhe pyje kalimtare, gjë që dëshmon se degradimi ka prekur të gjithë tipet e pyjeve të Parkut, pavarësisht strukturës së tyre biologjike. Ndryshimet nga zonat me vegjetacion të rrallë drejt shkurreve dhe pyjeve kalimtare kanë sipërfaqe më të vogël (7.96 ha), ndërsa tranzicioni i kundërt — nga shkurre dhe pyje kalimtare drejt pyjeve gjetherënëse — mbetet minimal (38.62 ha), duke sugjeruar se rigjenerimi natyror i pyjeve ekziston, por është i kufizuar krahasuar me ritmin e degradimit. Në tërësi, nga kjo analizë kuptohet trendi i fuqishëm i humbjes së mbulesës pyjore dhe rritjes 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 181 of 199
së zonave të degradimit, duke dëshmuar fragmentimin e vazhdueshëm të peizazhit dhe presionin e fortë antropogjen në këtë periudhë. Grafiku 1. Ndryshimi në mbulesën bimore në PK Lurë-Mali i Dejës (2000-2006) 4.2. Cilësia e vegjetacionit dhe gjendja ekologjike (NDVI) Analiza e Indeksit të Diferencës së Normalizuar të Vegjetacionit (NDVI) nga imazhet Sentinel2 për vitet 2021 dhe 2025 tregon përkeqësim të qartë të gjendjes së vegjetacionit në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës” (Harta nr.3). Harta 3. Ndryshimet në Indeksin e Vegjetacionit në PK Lurë-Mali i Dejës (2021-2025) Burimi: Imazhe satelitore nga Sentinel-2 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 182 of 199
Vlera mesatare e NDVI-së ka pësuar rënie nga 0.444 në vitin 2021 në 0.390 në vitin 2025, që përfaqëson një ulje rreth 12% të densitetit të vegjetacionit. Kjo rënie reflekton dobësim të vitalitetit të pyjeve, sidomos në zonat qendrore dhe jugore të parkut, ku ka zgjerim të sipërfaqeve të degraduara. Devijimi standard është rritur nga 0.128 në 0.157, duke treguar një shpërndarje më heterogjene të shëndetit të bimësisë dhe thellim të kontrasteve midis zonave të dendura dhe atyre të rralluara. Megjithatë, pjesët veriore dhe zonat pranë liqeneve akullnajore ruajnë ende vlera më të larta NDVI (deri në ~0.78), çka sugjeron prezencë të pyjeve më të qëndrueshëm dhe habitateve më pak të prekura. Krahasimi midis hartave 2021–2025 tregon se reduktimi i NDVI lidhet kryesisht me presionet antropogjene, fragmentimin e pyjeve dhe efektet kumulative të thatësirave sezonale. Në brendësi të parkut vlerat mbeten më të qendrueshme (shih Pasqyra 2 dhe 3). Pasqyra 2. Ndryshimet në vlerat e NDVI-së për PK Lurë-Mali i Dejës Viti NDVI Minimum NDVI Maksimum NDVI Mesatar Devijimi Standard Interpretimi 2021 −0.0654 0.7656 0.4444 0.1277 Gjendje relativisht e mirë e vegjetacionit; shumica e zonave me densitet mesatar–të mirë. 2025 −0.0314 0.7835 0.3904 0.1573 Rënie e dukshme e vitalitetit të vegjetacionit; zgjerim i zonave me NDVI të ulët dhe rritje e variabilitetit. Burimi: Përpunim i të dhënave nga Sentinel-2 Pasqyra 3. Ndryshimet në vlerat e NDVI-së, sipas kategorive, për PK Lurë-Mali i Dejës Klasa e NDVI Vlerat Përshkrimi Sipërfaqja 2021 Sipërfaqja 2025 Ndryshimi 2021– 2025 Zona pa vegjetacion -1.0 – 0.20 Sipërfaqe të zhveshura, shkëmbinj, toka të degraduara, sipërfaqe të djegura Rritje e vogël Rritje e ndjeshme Rritje, shenjë e degradimit të habitatit Vegjetacion i rrallë 0.20 – 0.40 Bimësi e shpërndarë; kullota të varfra, degradim nga erozioni Qendrueshme Rritje e dukshme Rritje, tregon rënie të densitetit të pyjeve Vegjetacion mesatar 0.40 – 0.60 Pyje me densitet mesatar; zonat më të shëndetshme të parkut Dominon në 2021 Rënie e qartë Ulja e shëndetit të përgjithshëm të vegjetacionit Vegjetacion i dendur 0.60 – 1.00 Pyje të dendura, ekosisteme të shëndetshme, zona të mbrojtura më pak të prekura Shtrirje e mirë sidomos në veri Reduktim, sidomos në jug dhe lindje Rënie e densitetit të pyjeve të shëndetshme Ndryshimi mesatar i NDVI (2021→2025) — — 0.444 0.390 −0.054 (ulje prej 12%) Burimi: Përpunim i të dhënave nga Sentinel-2 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 183 of 199
4.3. Fragmentarizimi i habitateve dhe degradimi hapësinor Harta e fragmentimit të habitateve, e ndërtuar mbi gjatësinë e bordeve të njësive të përdorimit të tokës për vitin 2018, tregon një mozaik të qartë fragmentarizimi (Harta 4.) Pjesa më e madhe e parkut (sidomos masivet kompakte në qendër dhe veri) klasifikohet në kategori “fragmentarizim shumë i ulët” (0–50 m) dhe “fragmentarizim i ulët” (50–100 m). Këto zona përfaqësojnë bërthamat kryesore pyjore, ku lidhshmëria e habitateve mbetet relativisht e mirë. Fragmentarizimi mesatar (100–150 m) shfaqet kryesisht përgjatë kontaktit midis pyjeve dhe kullotave ose zonave me vegjetacion të rrallë, ndërsa klasat “fragmentarizim i lartë” (150– 250 m) dhe “shumë i lartë” (250–350 m) përqendrohen: pranë Lurës së Poshtme dhe luginës jugore, ku shfaqen mozaikë pyjesh të prera, kullotash dhe sipërfaqesh të djegura; në disa mikrozona në veri, ku prerjet selektive dhe erozioni kanë ndarë masivet pyjore në poligone të vogla; përgjatë korridoreve lumenore dhe pellgjeve ujore, ku prishja e brezave pyjorë ka krijuar fronte të gjata kontakti. Në këto zona, gjatësia e bordeve për njësi sipërfaqe është më e madhe, duke sinjalizuar ndarje të fortë të habitateve, rritje të ekspozimit ndaj erozionit dhe ulje të kapacitetit të rigjenerimit të pyjeve. Këto fragmente përbëjnë prioritet për masa restaurimi (ripyllëzim, stabilizim të shpateve, kufizim të ndërhyrjeve). (Harta nr.4 ). Harta 4. Fragmentarizimi i habitateve në PK Lurë-Mali i Dejës (2018) Ndërkohë, vlerat më të larta të fragmentarizimit (klasat i lartë dhe shumë i lartë) regjistrohen përgjatë: • kufijve të parcelave të degraduara, • zonave të shpyllëzuara historikisht pranë Lurës së Poshtme, • korridoreve të prera nga erozioni, • dhe afër pellgjeve ujore të rikrijuara natyralisht. Këto zona përfaqësojnë vatra kritike të fragmentarizimit, ku gjatësia e bordeve është më intensive dhe habitatet pyjore shfaqin ndarje të theksuar në njësi të vogla e të izoluara. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 184 of 199
Fragmentarizimi i lartë lidhet me rënien e kapacitetit të rigjenerimit të pyjeve, ndërprerje të korridoreve ekologjike dhe rritje të ndjeshmërisë ndaj erozionit dhe zjarreve. Veçanërisht në pjesën juglindore dhe disa mikro-zona në veri, fragmentarizimi i lartë sinjalizon prioritete për ndërhyrje restauruese, ku rimëkëmbja pyjore dhe menaxhimi i qëndrueshëm i terrenit janë të domosdoshme për të rikthyer funksionimin ekologjik të peizazhit. Këto rezultate janë të rëndësishme për planifikimin e menaxhimit të parkut në përputhje me objektivat e BE-së për restaurimin e natyrës, duke ndihmuar në identifikimin e zonave që kërkojnë masa urgjente rehabilituese. 4.4. Ndikimi human në ndryshimin e Mbulesës bimore dhe përdorimin e tokës në PK Lurë-Mali i Dejës (viti 2000 dhe viti 2018) Analiza e përdorimit të tokës dhe mbulesës bimore për vitet 2000 dhe 2018 në Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës tregon ndryshime të qarta në strukturën e ekosistemeve pyjore dhe habitateve natyrore. Në vitin 2000, territori dominohej nga pyje gjetherënëse (311), pyje halorë (312) dhe pyje të përziera (313), të cilat formonin një mbulesë kompakte veçanërisht në pjesën qendrore dhe verilindore të parkut. Deri në vitin 2018, vërehet një reduktim i sipërfaqeve pyjore dhe një rritje e dukshme e klasave të degradimit, si moçale/shkurre (322) dhe zonat me vegjetacion të rrallë (333), sidomos përgjatë luginave dhe zonave më të ekspozuara ndaj aktivitetit njerëzor. Harta 5. Ndryshimet në mbulesën bimore dhe përdorimin e tokës në PK Lurë-Mali i Dejës 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 185 of 199