scieee AI-readable full text Open interactive document viewer

ROLI I TRASHËGIMISË SI POTENCIAL NË PROMOVIMIN E TURIZMIT NË BASHKINË TROPOJË

Doçi, Erisa; Mulosmani, Fjorela

Abstract

This article is part of the Book of Proceedings of the INTERNATIONAL SCIENTIFIC CONFERENCE “MAIN CHALLENGES OF SUSTAINABLE MANAGEMENT OF ALBANIAN PROTECTED AREAS ACCORDING TO EU DIRECTIVES AND REGULATIONS / 1st SMPA-EU” me DOI: https://doi.org/10.5281/zenodo.17476890. Botues: RUR.AL

Full text

ROLI I TRASHËGIMISË SI POTENCIAL NË PROMOVIMIN E TURIZMIT NË BASHKINË TROPOJË M.Sc Erisa Doçi, M.Sc Fjorela Mulosmani Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Departmenti i Gjeografisë, Tiranë, Shqipëri *e-mail i Autorit për korrespondencë: [email protected], [email protected] Abstrakt Ky studim trajton promovimin dhe interpretimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Bashkisë Tropojë në funksion të zhvillimit të turizmit. Bashkia Tropojë ka pasuri të mëdha natyore dhe kulturore me vlera të larta për zhvillimin e turizmit. Tropoja është një nga zonat më të pasura të Shqipërisë për nga potenciali turistik, duke kombinuar bukuritë e saj natyrore me trashëgiminë kulturore dhe historike. Në këtë hapësirë gjeografike gjenden zona të mbrojtura të cilat paraqesin vlera të biodiversitetit për zhvillimin e turizmit natyror. Bashkia Tropojë është e pasur edhe me trashëgimi kulturore (trashëgimi historike, arkeologjike, arkitekturore dhe etnografike) me vlera të mëdha kulturore, historike dhe turistike. Nëpërmjet studimit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, ky punim ka si synim evidentimin, analizimin dhe promovimin e tyre në funksion të zhvillimit të turizmit në Bashkinë Tropojë. Për realizimin e studimit ishte i nevojshëm grumbullimi dhe analizimi i të dhënave gjeografike, gjeomorfologjike, gjeologjike, biologjike, historike dhe etnografike. Studimi është kryer në bazë të sigurimit të të dhënave të cilat u mundësuan nga shfrytezimi i literaturës ekzistuese, planeve zhvillimi të Bashkisë Tropojë si dhe vizitës në terren. Përmes metodave të hulumtimit, vëzhgimit në terren dhe përdorimit të teknologjisë SIG, janë identifikuar monumente natyrore, parqe kombëtare, itinerare turistike dhe objekte me rëndësi kulturore e historike. Aplikimi i metodës Knapik et al. ka mundësuar vlerësimin e potencialit turistik të gjeositeve, duke theksuar rëndësinë e Lumit Valbonë, Liqenit të Sylbicës, Kanionit të Shoshanit dhe shumë atraksioneve të tjera. Gjithashtu, studimi shqyrton strategjitë më efikase për promovimin e trashëgimisë përmes medias, rrjeteve sociale, materialeve promovuese dhe krijimit të itinerareve turistike natyrore dhe kulturore. Rezultatet e punimit tregojnë se zhvillimi i turizmit në Tropojë është i lidhur ngushtë me ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e pasurive të saj natyrore dhe kulturore. Në përfundim, ofrohen rekomandime për përmirësimin e infrastrukturës turistike, krijimin e qendrave informative dhe forcimin e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e trashëgimisë. Fjalë kyçe: Trashëgimi, Turizëm, Promovim, Interpretim, Itinerarë, Zhvillim i qëndrueshëm. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 102 of 199 Botuar në Librin e Artikujve (Book of Proceedings) të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare "Sfidat kryesore të menaxhimit të qendrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri sipas Direktivave dhe Rregulloreve të BE-së / 1st SMPA-EU", fq. 102–111. DOI: https://doi.org/10.5281/zenodo.17497522, organizuar në kuadër të Modulit Jean Monnet “Albanian Protected Areas in the Frame of EU Integration: ALPAsEU”, financuar nga BE. ISBN: 9789928488602; e-ISBN: 9789928488633 dhe DOI:https://doi.org/10.5281/zenodo.17476890. Botues: RUR.AL Konferenca u organizua në bashkëpunim me Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Shqipëri. 18 tetor 2025 Hyrje Bashkia Tropojë përfaqëson një nga zonat më të pasura të Shqipërisë në aspekte natyrore dhe kulturore, duke ofruar potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Pozicioni gjeografik, relievi i larmishëm, peizazhet malore dhe burimet natyrore të shumta e bëjnë këtë hapësirë një destinacion të veçantë për zhvillimin e turizmit natyror. Brenda territorit të saj gjenden zona të mbrojtura me vlera të konsiderueshme të biodiversitetit, të cilat kontribuojnë në pasurimin e ofertës turistike dhe në ruajtjen e ekosistemeve vendase. Përveç pasurive natyrore, Bashkia Tropojë dallohet për trashëgiminë e saj të pasur kulturore, e cila përfshin elemente të trashëgimisë historike, arkeologjike, arkitekturore dhe etnografike. Kjo trashëgimi përbën një komponent të rëndësishëm të identitetit lokal dhe një burim të çmuar për zhvillimin e turizmit kulturor. Kombinimi i vlerave natyrore dhe kulturore e bën Tropojën një hapësirë me potencial të lartë për zhvillim të integruar turistik dhe ekonomik. Ky studim ka si qëllim kryesor evidentimin, analizimin dhe promovimin e pasurive natyrore dhe kulturore të Bashkisë Tropojë, me synimin për të theksuar rolin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Në këtë kuadër, janë mbledhur dhe analizuar të dhëna të karakterit gjeografik, gjeomorfologjik, gjeologjik, biologjik, historik dhe etnografik. Studimi mbështetet në literaturën ekzistuese, dokumentet strategjike të zhvillimit të Bashkisë Tropojë, si dhe në të dhënat e mbledhura gjatë punës në terren. Rezultatet e këtij hulumtimi synojnë të kontribuojnë në njohjen dhe promovimin e vlerave natyrore e kulturore të Tropojës, si dhe të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave zhvillimore dhe strategjive të qëndrueshme në fushën e turizmit. Përmes këtij botimi synohet të theksohet rëndësia e mbrojtjes dhe menaxhimit të kujdesshëm të burimeve natyrore e kulturore, si dhe të nxitet një model zhvillimi që ruan ekuilibrin midis trashëgimisë dhe progresit. Materiale dhe Metoda Për realizimin e këtij studimi janë përdorur metoda të ndryshme kërkimore me karakter cilësor dhe sasior, të cilat kanë mundësuar mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e informacionit mbi trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Bashkisë Tropojë. Në fazën fillestare u aplikua metoda e hulumtimit dhe analizës së literaturës, e cila përfshiu shqyrtimin e materialeve përkatëse shkencore, përfshirë artikuj shkencorë, botime monografike, revista akademike, plane zhvillimore dhe dokumente institucionale. Ky proces mundësoi evidentimin e pasurive të shumta natyrore dhe kulturore të zonës, si dhe vlerësimin e rolit të tyre në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Një komponent i rëndësishëm i punës kërkimore ishte metoda e vëzhgimit të drejtpërdrejtë në terren, e cila shërbeu për identifikimin konkret të objekteve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Vëzhgimet në terren mundësuan verifikimin e të dhënave të përfituara nga literatura dhe siguruan informacion të detajuar për karakteristikat, gjendjen aktuale dhe potencialet turistike të këtyre burimeve. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga hulumtimi dhe vëzhgimi, u hartuan itinerare turistike, që përfshijnë elemente të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, me synimin për t’i ardhur në ndihmë vizitorëve vendas dhe të huaj, si dhe për të promovuar më tej potencialet e Bashkisë Tropojë. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 103 of 199 Gjithashtu, në funksion të paraqitjes vizuale dhe informuese të rezultateve, u aplikua teknologjia e Sistemit të Informacionit Gjeografik (SIG) përmes softuerit ArcMap 10.4. Kjo metodë u përdor për krijimin e hartave tematike, të cilat pasqyrojnë shpërndarjen dhe tipologjinë e elementeve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Hartat e krijuara kanë për qëllim të shërbejnë si mjete orientuese dhe informuese për studiuesit, institucionet vendore dhe vizitorët, duke ndihmuar në promovimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve të zonës. Veçoritë Fiziko-Gjeografike të Bashkisë Tropojë Bashkia Tropojë shtrihet në pjesën më veriore të Shqipërisë dhe kufizohet me Republikën e Malit të Zi në veri, me Republikën e Kosovës në lindje, me Bashkinë Shkodër në perëndim, me Bashkinë Pukë në jug dhe me Bashkinë Has në juglindje. Qendra administrative e saj është qyteti i Bajram Currit, ndërsa në territor përfshihen tetë njësi administrative me rreth 70 fshatra. 1. Harta nr.1. Harta administrative e Bashkisë Tropojë. Punoi: Erisa Doçi, Fjorela Mulosmani, 2022 Si hapësire gjeografike territori i Bashkisë Tropojë bën pjesë në rajonin veri-verilindor të Shqipërisë. Shtrihet në kontaktin e përplasjeve të tre zonave tektonike të Mirditës, Alpeve, Cukalit dhe në thyerjen e madhe tektonike Shkodër-Pejë2. Relievi është kryesisht malor, me një lartësi mesatare prej 1105 metrash mbi nivelin e detit. Si pjesë e Alpeve Lindore Shqiptare, Tropoja 1 Porta Vendore, 2019, Njësitë Administrative 2 Belba Arben, 2021, Cikël leksionesh, Gjeografia e Shqipërisë 1, Tiranë, Leksioni 4, f.25 3 SCRIBD, 2020, Rrethi i Tropojës, f.1 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 104 of 199 karakterizohet nga maja të larta dhe peizazhe të thepisura, ndër të cilat dallohen Maja e Jezercës (2694 m), Maja e Hekurave (2560 m) dhe Maja e Shkëlzenit (2407 m). Lugina e Valbonës, Lugina e Gashit, të cilat bashkë me gropat dhe pellgjet e shumta formojnë një peizazh të larmishëm natyror me vlera të mëdha ekologjike e turistike. Klima e Bashkisë Tropojë është e tipit mesdhetar-kodrinor dhe malor, me ndikim kontinental të theksuar për shkak të pozicionit të brendshëm dhe lartësisë së madhe mbi nivelin e detit. Ajo karakterizohet nga dimër i ashpër dhe verë e freskët, ndërsa erërat lokale, ndikojnë ndjeshëm në regjimin klimatik. Temperatura mesatare vjetore është rreth 10°C; janari është muaji më i ftohtë (1.5°C), ndërsa korriku dhe gushti më të ngrohtë (rreth 21°C). Reshjet janë të bollshme gjatë gjithë vitit, me një mesatare vjetore prej 1846 mm, ku muaji më i lagësht është nëntori dhe më i thatë gushti. 3 Territori i kësaj bashkie ka një rrjet të dendur lumenjsh dhe përrenjsh si dhe dy liqene artificiale (Koman dhe Fierzë) dhe shumë liqene akullnajore4. Lumi më i rëndësishëm është lumi i Valbonës që buron në 2000 m lartësi, dhe pasi përshkron një gjatësi 50 km, derdhet në liqenin e Komanit5. Lumi i Valbonës është lumi me vlerat më të rëndësishme turistike, bujqësore, dhe ekonomike. Lumenj të tjerë kryesorë janë: lumi i Gashit dhe lumi i Tropojës. Liqenet artificiale të Fierzës dhe Komanit shfrytëzohen për prodhimin e energjisë elektrike (Hidrocentrali i Fierzës dhe Komanit), duke i rënditur një ndër më të rëndësishmit në Shqipëri. Në territorin e Tropojës dallohen tre breza kryesorë tokash: tokat e kafenjta malore (në 600–900 m), tokat e murrme pyjore (në 900–1600 m) dhe tokat livadhore malore (mbi 1500 m). Këto toka janë të pasura me humus dhe kanë krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Megjithatë, rreth 40% e sipërfaqes së tokave mbetet ende e pashfrytëzuar për shkak të faktorëve gjeomorfologjikë dhe mungesës së infrastrukturës bujqësore. Flora e Bashkisë Tropojë është ndër më të pasurat në Shqipëri, me mbi 2000 lloje bimësh, prej të cilave 225 janë endemike dhe 45 të rralla ose të rrezikuara. Ndër to përfshihen rreth 1860 lloje bimësh mjekësore, ku më të rëndësishmet janë boronica, dëllinja e zezë, trëndafili i egër, trumza, sherebela, kamomili dhe aguliçja. Bimësia organizohet në katër kate vertikale: shkurret mesdhetare (deri në 700 m), dushqet (deri në 1000 m), ahu e halorët (1000–1800 m) dhe kullotat alpine (mbi 2000 m). Kjo larmi vegjetative përbën një potencial të madh për zhvillimin e turizmit natyror dhe agro-turizmit. Edhe fauna është jashtëzakonisht e pasur dhe përfaqësohet nga specie të ndryshme tokësore, ujore dhe shpendësh. Kafshët e egra më të zakonshme janë ujku, rreqebulli, macja e egër, dhelpra, derri i egër, kaprolli dhe dhia e egër. Në grupin e shpendëve, veçohen shqiponja e artë, skifteri, bufi, gjeli i egër dhe thëllëza e malit. Fauna ujore është përfaqësuar nga peshq tipikë të ujërave të ftohta, ku trofta me pika në Luginën e Valbonës është specie në rrezik zhdukjeje. Një tjetër specie e mbrojtur është rrëqebulli i Ballkanit, simbol i biodiversitetit të Alpeve Shqiptare. 3 Azizi Ismet, 2022, Klima e Tropojës dhe Anamoravës, f.4 4 SCRIBD, 2020, Rrethi i Tropojës, f.4 5 SCRIBD, 2020, Rrethi i Tropojeës, f.5 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 105 of 199 Trashëgimia natyrore e Bashkisë Tropojë Bashkia Tropojë dallohet për vlera natyrore të veçanta, me një shumllojshmëri peizazhesh tërheqëse dhe atraktive. Për shkak të formave të larmishme të relievit, shfaqen potenciale natyrore dhe atraksione turistike. Në këtë territor gjenden fusha, kodra, male, lugina dhe pyje, ku mund të përmendim pyllin e “Masivit të Gështenjave”, i cili ndodhet në periferi të qytetit të qytetit të Bajram Currit, me një sipërfaqe prej 2600 ha.6 Si të veçantë vlen të përmendim pyjet primarë dhe të vjetra të ahut të Gashit, të cilat ndodhen në pellgun ujëmbledhës të lumit të Gashit, në lartësitë rreth 430 m në 2312 m mbi nivelin e detit. Këto pyje dallohen për natyrën e tyre alpine, ku mbizotërojnë forma relikte të relievit, klimë dhe hidrografi me tipare alpine, botë shtazore të pasur si dhe biodiversitet me vlera të larta. Po ashtu trashëgimisë natyrore i bashkangjitet dhe Rrobulli në liqenin e Ponarëve i cili ndodhet pranë Majës së Hekurave, rreth 1200-1300 m mbi nivelin e detit. Është pyll rrobulli me lartësi 20-25 m, diametër të trungut 50 cm.7 Tabela 1. Monumentet e natyrës në Bashkinë Tropojë Emërtimi Statusi Fshati Nj.adm Bashkia Bredhishta e Rragamit M.natyreKategoria III Rragam Llugaj Tropoje Shelgu i Rrjete zuar M.natyreKategoria III Valbone Margegaj Tropoje Blire t ne Markaj M.natyreKategoria III Markaj Bujan Tropoje Ahishta Gurra e Hasan Gashit M.natyreKategoria III Bredozhnice Margegaj Tropoje Ahishta e Vranice s M.natyreKategoria III Çerem Margegaj Tropoje Arra e Dragobise M.natyreKategoria III Dragobi Margegaj Tropoje Vlerë të veçantë për zonën e Tropojës përbëjnë dhe bimët medicinale dhe ato aromatike, të cilat reflektojnë pasurinë floristike të territorit por dhe gjenerojnë të ardhura financiare për banorët e zonës. Mund të përmendim: çajin e malit, dëllinjën, lule shtogun, trëndafilin e egër, luleshtrydhet e 6 Logu Lulëzim, Neçaj Gjon, 2008, Vendlindja ime Tropoja, Erik, Tiranë, f.26 7 Qiriazi Perikli, 2017, Trashëgimia natyrore e Shqipërisë (Vlerat, Rreziqet dhe Menaxhimi), Kristalina, Tiranë, f.143 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 106 of 199 malit, boronicën,8 etj., ku këto dy të fundit janë mjaft të kërkuara si nga banorët e vendit por dhe turistët e ndryshëm. Në territorin e Bashkisë Tropojë kanë qenë të shpallura rezervat strikt i mbrojtur ‘Lumi i Gashit” dhe park kombëtar “Lugina e Valbonës”. Me vendim të Këshillit të Ministrave, sëbashku me ekosistemin natyror të Thethit u shpall Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë. Hartë nr 3. Trashëgimia natyrore e Bashkisë Tropojë Punoi: Fjorela Mulosmani, 2022 Hartë nr 2. Itinerare turistike të Bashkisë Tropojë Punoi: Erisa Doçi, 2022 8 Shoqata Alpin, 2018, Bimët mjeksore në Tropojë, Tiranë, f.3 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 107 of 199 Trashëgimia kulturore e Bashkisë Tropojë Hapësira gjeografike e marrë në studim përveç vlerave të trashëgimisë natyrore që mbart, ajo karakterizohet dhe për një larmishmëri të trashëgimisë kulturore, ku si pjesë e traditës dhe kulturës së veçantë vendase, folklori dhe etnografia mbartin vlera dhe konstatohen si elemente të pasura për Tropojën. Kështu në zonën e Tropojës konstatohen: objekte kulti, kala, kulla, etj. Në qëndër të qytetit Bajram Curri ndodhet Muzeu Historik i bashkisë Tropojë, që dallohet për arkitekturën e ndërtuar në vitin 1985, i cili është konsideruar ndër tre muzetë më të mira në Shqipëri. Në këtë muze kanë qenë të ekspozuara relike historike të Shqipërisë Veriore, Malësisë së Gjakovës dhe Kosovës, por për fat të keq shumë objekte të veçanta kanë humbur për gjatë viteve. Shumë pranë muzeut është ngritur dhe statuja e Heroit të Popullit, Bajram Curri. Tropoja, e njohur ndryshe si Malësia e Gjakovës, paraqet një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore dhe historike që dëshmon për banimin e hershëm të zonës që nga periudha e hekurit. Në kohën ilire, kjo trevë ishte e banuar nga fisi i Dardanëve, me qendrën qytetare të Rosujës në fshatin Bujan, e cila daton rreth vitit 400 p.e.s. Monumente të rëndësishme të kësaj periudhe janë Kalaja e Shoshanit, Kalaja e Lekës dhe Kalaja e Cernicës, që ruajnë gjurmë të jetës ilire e mesjetare. Po ashtu, Kulla e Mic Sokolit në Bujan dhe Shpella e Dragobisë, ku u strehua heroi Bajram Curri, përbëjnë simbole të qëndresës dhe identitetit kombëtar. Banesat tradicionale të Tropojës janë kryesisht të tipit kullë, të ndërtuara me gurë, me funksion mbrojtës dhe banimi. Ato dallohen për arkitekturën karakteristike dhe vlerat historike, si banesat e Ismail dhe Arif Mustafaj në Bajram Curri, Halil Qeleposhit në Babinë, Adem Demaj e Mehmet Ramës në Koçanaj, si dhe Kulla e Sali Manit në Bujan, ku është mbajtur Konferenca e Bujanit (1943–1944). Këto monumente janë shpallur zyrtarisht si pasuri kulturore me rëndësi kombëtare. Trashëgimia shpirtërore përfshin veshjet popullore, vallet, këngët dhe artizanatin. Veshjet e grave dhe burrave tropojane dallohen për qëndisjet me dorë, ngjyrat e forta dhe elementët dekorativë me rruaza. Vallja e Tropojës, e njohur si “Kcimi i Tropojës”, është shpallur nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Jomateriale si “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit” dhe përfaqëson energjinë, ritmin dhe identitetin kulturor të krahinës. Këngët tradicionale — si “Këngët e Kreshnikëve”, “Këngët e Çikave” dhe “Këngët e Trimave” — shoqërohen me instrumente popullore si lahuta, çiftelia, tupan dhe fyelli. Artizanati lokal përfshin punime në gur, dru, qeramikë dhe tekstile. Qilimat, mbulesat dhe punimet e dorës ruhen ende si tradita e gjallë dhe janë kthyer në burim të ardhurash për banorët. Kulinaria tropojane përbën një tjetër aspekt të trashëgimisë kulturore me gatime tipike si fli, çorba, qervishi, pastërmaja, rezhniku dhe oshafi. Festat tradicionale si Festa e Gështenjës, Sofra Dardane dhe Festa e Bjeshkëve mishërojnë lidhjen e fortë të komunitetit me zakonet dhe trashëgiminë e tij shpirtërore. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 108 of 199 Foto: Erisa Doçi Interpretimi i potencialit turistik të Bashkisë Tropojë Televizioni është një nga mjetet më të rëndësishme për promovimin e turizmit në Tropojë. Emisione si “Histori Shqiptare”, “Fshatrat e Shqipërisë” dhe “Ora News” kanë trajtuar temat e agroturizmit, duke prezantuar bukuritë natyrore, produktet bio si boronica e Alpeve, si dhe trashëgiminë kulturore të zonës Nikaj-Mërtur dhe bjeshkëve të Radeshës. Këto emisione rrisin njohjen dhe vlerësimin e Tropojës si destinacion agroturistik. Rrjetet sociale si Facebook, Instagram dhe Twitter kanë ndikim të madh në promovimin e peizazheve, traditave dhe aktiviteteve lokale. Faqja “I Love Tropoja” në Instagram ka kontribuar ndjeshëm në shpërndarjen e informacionit dhe në ndërgjegjësimin për ruajtjen e natyrës. Videot promovuese janë mjete efektive për prezantimin e bukurive dhe kulturës lokale në platforma si YouTube dhe TikTok. Mungesa e tyre në rastin e Tropojës paraqet një pengesë në promovimin ndërkombëtar të zonës. Posterat dhe fletëpalosjet janë forma tradicionale e vizuale për të informuar vizitorët nëpër panaire e aktivitete. Ato duhet të jenë tërheqëse, me foto cilësore dhe informacione të qarta për destinacionet e Tropojës dhe itineraret turistike. Tabelat informuese ndihmojnë turistët të orientohen dhe të kuptojnë historinë, kulturën dhe rregullat e sjelljes në natyrë, duke promovuar turizmin e qëndrueshëm. Shënjimi i shtigjeve është thelbësor për sigurinë e turistëve dhe eksplorimin e vendeve të izoluara si Curraj i Epër, ku mungon infrastruktura turistike. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 109 of 199 Mënyra të tjera promovimi përfshijnë përdorimin e teknologjisë moderne, ekranet promovuese në hapësira publike, krijimin e një website turistik zyrtar për Tropojën, organizimin e eventeve kulturore e sportive, si “Sofra Dardane”, dhe bashkëpunimin me influencues të mediave sociale. Qendra e informimit në Parkun e Valbonës luan një rol kyç në orientimin e turistëve, ofrimin e shërbimeve dhe informacioneve për atraksionet dhe aktivitetet. Krijimi i më shumë qendrave të tilla në Tropojë do të përmirësonte ndjeshëm përvojën turistike dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit. Rezultate dhe Diskutim Rezultatet e studimit tregojnë se Bashkia Tropojë përfaqëson një mozaik të pasur vlerash natyrore dhe kulturore, të cilat krijojnë potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Nga aspekti natyror, territori i Tropojës karakterizohet nga një larmi ekosistemesh malore dhe alpine me biodiversitet të pasur. Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” dhe Parku Natyror Rajonal “Nikaj–Mërtur” përbëjnë zona me rëndësi të veçantë ekologjike, ku ndërthuren peizazhe të paprekura, flora endemike dhe fauna e rrallë e Alpeve Shqiptare. Monumentet e natyrës si kanionet, shpellat karstike dhe liqenet akullnajore (si p.sh. Liqeni i Sylbicës dhe ai i Dobërdolit) përbëjnë elemente të veçanta të peizazhit, me vlera të larta shkencore, estetike dhe turistike. Në aspektin kulturor, Tropoja ruan një trashëgimi të pasur materiale dhe shpirtërore që reflekton identitetin historik të banorëve të saj. Kullat karakteristike të banimit, muzeu etnografik i Bajram Currit, veshjet tradicionale, folklori muzikor dhe koreografik, si dhe zakonet e mikpritjes përbëjnë elemente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Këto vlera e bëjnë zonën një qendër të veçantë të kulturës veriore shqiptare dhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor. Megjithëse pasuritë natyrore dhe kulturore janë të shumta, niveli aktual i promovimit mbetet ende i kufizuar. Mungesa e materialeve informuese bashkëkohore, e infrastrukturës së përshtatshme dhe e bashkërendimit ndërinstitucional përbën një sfidë për shfrytëzimin e plotë të këtyre burimeve. Për këtë arsye, zbatimi i strategjive moderne të promovimit, si përdorimi i mediave sociale, platformave digjitale, materialeve vizuale interaktive, si dhe krijimi i itinerareve të strukturuara turistike, paraqiten si masa prioritare për rritjen e vizibilitetit dhe zhvillimin e turizmit të integruar natyror e kulturor në Bashkinë Tropojë. Përfundime Bashkia Tropojë dallohet për vlera natyrore të veçanta, me një shumellojshmëri peizazhesh tërheqëse dhe atraktive. Falë pozicionit gjeografik, gjeologjik edhe evolucionit gjeomofologjik kjo zonë trashëgon një pasuri të madhe gjeodiversiteti dhe biodiversiteti. Brenda kësaj bashkie gjenden disa kategori te zonave te mbrojtura sipas IUCN: kategoria e IIPark kombëtar, kategoria e III-Monumente natyre, kategoria e IVPark natyror rajonal, të përfaqësuara me gjeomonumente, hidromonumente dhe biomonumente. Prania e madhe e këtyre monumenteve natyrore si gjeomonumente, hidromonumente dhe biomonumente si dhe njohja dhe promovimi i tyre do të shtonte ofertën turistike të kësaj bashkie duke rritur interesin dhe kohën e qëndrimit të turistëve. 1st SMPA-EU — Tetor 2025 Libri i Artikujve/Book of Proceedings 110 of 199